Lëvizja Vetëvendosje tani edhe në Shqipëri, Zaimi: Projekti afatgjatë, kishim shumë kërkesa

Në sfondin e një krize politike deri tani pa zgjidhje, në datën 11 mars, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u dorëzua kërkesa për regjistrimin e Lëvizjes Vetëvendosja në Shqipëri.

Për të diskutuar për këtë çështje ishin të ftuar në A2 Debat: Arbër Zaimin nga Lëvizja Vetëvendosja dhe Ben Andoni, gazetar e analist.

Zaimi nuk e mohon edhe shndërrimin e kësaj lëvizje në një subjekt politik, ndërsa thotë se projekti në Shqipëri do të jetë afatgjatë.

“Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme për të filluar një aktivitet në Shqipëri dhe prandaj e kemi marrë këtë hap. Nuk është një dorë nga jashtë për të zgjidhur krizën. Do të regjistrohet si një organizatë jo fitimprurëse. Ne e kemi bërë kërkesën dhe presim përgjigje nga gjykata. Ne do të jemi në Shqipëri me një projekt afatgjatë, i cili do të lërë gjurmën e vetë. Një nga synimet tona është edhe të ndryshohet edhe gjuha politike. Regjistrimi i qendrës nuk ka lidhje me partinë politike në sensin institucional, por në të ardhmen a do ta zgjedhje Vetëvendosja të kthehet në subjekt politik kjo do të varet nga ajo që do të kërkohet. Është një gjë që ne do ta konsiderojmë”, thotë Zaimi.

Për Andonin, ka humbur shpresa nga politika dhe partitë aktualisht shihen si e keqja e vendit. “Kjo lëvizje është në dy kahe. Një pjesë e ka marrë me shumë entuziazëm, ndërsa një pjesë tjetër është duke pritur hapat e Vetëvendosjes. Në Shqipëri ka humbur shpresa dhe nuk ka më besim në asnjë prej partive politike, çdo forcë politikë identifikohet me të keqen dhe ky ësht ënjë hap i parë i Vetëvendosjes”, thotë Ben Andoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN