Një tjetër shqiptar në skenën ndërkombëtare, pjesë e “familjes” së Jay-Z

“Babai im gjithmonë e lexonte “New York Times” dhe në të i binin në sy ngjarje të çmendura e negative për ndonjë shqiptar”…

Në vitin 2019, në të është djali i tij dhe rrëfimi është pozitiv… “Kemi lajme të mira”. Kështu shkruan Gashi, një nga artistët e familjes muzikore të Jay-Z, ndërsa shpërndan bashkë me këtë koment edhe foton e gazetës që rrëfen një histori ndryshe për shqiptarët, një histori pozitive, për një djalë shqiptar që po thyen rekorde në një vend të huaj, njëlloj si Dua Lipa, Rita Ora e Bebe Rexha.

Labinot Gashin, publiku shqiptar e njeh më së afërmi përmes performancës së tij bashkë me Dua Lipën, si artistët që bënë Sunny Hill festival që u zhvillua pak muaj më parë në Kosovë. Labinot Gashi, i njohur vetëm si Gashi në skenën muzikore ndërkombëtare, ka lindur në Libi nga prindër shqiptarë, ndërsa prej vitesh shkruan dhe bën muzikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga korriku I vitit 2017, Gashi është pjesë e produksioneve Roc Nation, familjes muzikore të Jay-Z e Beyonce.