Rusia: Ndryshimi i kufijve, ide amerikane; Palmer: Kjo çështje nuk është në qendër të marrëveshjes

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mattheë Palmer foli në Tiranë edhe për marrëveshjen që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim një marrëveshje mes dy vendeve, për sa kohë ato bien dakord për një pakt ku tregohen interesat e dy vendeve”, tha Palmer.

Tema më e nxehtë në këtë diskutim është shkëmbimi i territoreve. Pak ditë ma parë në një intervistë në “I Ftuari” në A2 CNN, ambasadori rus në Tiranë, Alexander Karpushin tha se rusët nuk kanë folur ndonjëherë për këtë temë dhe se kjo është një nismë amerikane “Një ide e cila promovohet nga zyrtarë amerikanë. Siç mund ta mbani mend, fillimisht, në gusht 2018, për zbatimin e mundshëm të këtij skenari ka folur këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare John Bolton, ndërkohë që më pas, në fillim të marsit 2019, për këtë ka folur Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer”, u shpreh ambasadori rus në Tiranë, në A2 CNN.

Por zoti Palmer tha se çështja e kufijve nuk duhet të jetë në qendër të kësaj marrëveshjeje. “Në qendër të marrëveshjes duhet të jetë njohja reciproke. Serbia të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe anasjelltas. Çështja e kufijve nuk është në qendër të kësaj marrëveshjeje”, tha Palmer. “Ne i kemi inkurajuar palët që të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për të arritur marrëveshjen. Por nuk kemi mbështetur asnjë ide apo pjesë. Duam vetëm një zgjidhje që hap rrugën europiane për Serbinë dhe Kosovën”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN