Situata politike, Arta Dade: Aktualja s’ka lidhje me atë që ndodhi në 1996-ën

Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, shprehet se situata aktuale politike në vend nuk ka lidhje me atë që ndodhi në vitin e largët 1996-të.

Në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos, Arta Dade theksoi se në atë kohë dhunimi i zgjedhjeve ishte flagrant. Teksa komentoi vizitën e zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, në Tiranë, Dade u shpreh se SHBA e ka thënë fjalën e saj tashmë dhe Palmer, ashtu siç deklaroi edhe ai vetë, nuk ishte këtu për të zgjidhur krizën.

“Kemi një qeveri legjitime dhe po t’i referohemi shifrave, unë doja të thosha se edhe Parlamenti është legjitim. Por sa e moralshme është zëvendësimi i deputetëve, kjo është për t’u diskutuar. Partnerët tanë janë të interesuar që këtu të ketë stabilitet. Unë e shikoj lëvizjen e opozitës si destabilizim të vendit dhe nganjëherë kjo bëhet edhe në kurriz të mbylljes së ndonjë praktike që e cenon dukshëm edhe demokracinë”

Por, po në 1996-ën, përballë zgjedhjeve të 26 majit, a u mbyllën sytë për hirë të stabilitetit ?

“Unë besoj që u mbyllën sytë. Ne na është dashur të bëjmë një betejë të jashtëzakonshme. Madje kishim edhe një personalitet që erdhi nga Këshilli i Europës, Leni Fisher dhe që tha se zgjedhjet ishin normale. Mbas një viti, kur vendi u destabilizua dhe ne në opozitë na u desh një punë e jashtëzakonshme për të bindur partnerët për atë që kishte ndodhur në Shqipëri, kemi një vendim të PE-së se mbas një viti do të bëheshin zgjedhjet në Shqipëri”.

Por a është kjo një “deja vu”?

“Mbasi u vëzhguan zgjedhjet dhe revolta më 28 maj dhe dhuna policore, madje edhe ndaj politikanëve, kujtoj Namik Doklen, Paskal Milon, apo Gjinushin. Ne na u desh të jepnim një konferencë për shtyp dhe më kujtohet që kam kapur ish-zëvendësambasadorin e SHBA dhe i thash se edhe tani do të mbylleshin sytë. Por më reagoi duke më thënë: “Prisni, prisni, se jemi duke vëzhguar”. Kjo më dha një lloj optimizmi që SHBA nuk do t’i mbyllnin sytë përpara asaj që u bë në 1996-ën. Unë nuk besoj se kemi të njëjtën situatë. Mund të kemi si lëvizje politike mbase, por dhunimi i zgjedhjeve në atë kohë ishte flagrant. Unë nuk besoj se kemi të bëjmë me të njëjtën situatë politike”.

Shkarkoni aplikacionin e A2