Zgjedhjet në Izrael, Netanjahu përballet me një sfidë të vështirë

Izraelitët votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme, që konsiderohen si një referendum për kryeministrin Benjamin Netanjahu.

Netanjahu, lideri i partisë së djathtë, Likud, kërkon një mandat të 5-të. Por ai përballet me akuza për korrupsion  dhe një rival të fortë si gjenerali i dalë në pension Benny Gantz.

Drejtues i aleancës së qendrës, Bardhë e Blu, ky i fundit e sfidon Netanjahun për çështje kyçe si siguria, me premtimin e një politike të pastër. Qendrat e votimit u hapën në 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 22. Por fituesi mund të mos përcaktohet menjëherë.

Asnjë parti nuk ka fituar ndonjëherë një shumicë të qartë në parlamentin prej 120 vendesh, çka nënkupton se zgjedhjet do të pasohen nga negociata për krijimin e një qeverie koalicioni. Gjatë një tubimi në Jerusalem, të hënën, Netanjahu u kërkoi mbështetësve të marrin pjesë në zgjedhje. 

Ai paralajmëroi se rivalët mund të fitojnë. Lideri izraelit i është drejtuar votuesve të bazës së djathtë me mesazhe të forta për sigurinë dhe një njoftim të rëndësishëm që sugjeron se qeveria e re do të aneksojë kolonitë hebre në Bregun Perëndimor.

Kryeministri i mohon akuzat për korrupsion dhe thotë se është viktimë e një gjuetie shtrigash. Ndërkaq rivali i tij Benny Gantz u tha mbështetësve në Tel Aviv se kryeministri kërkonte të ndryshonte ligjin për të mbrojtur veten nga ndjekja penale.