A ishin të siguruara paratë e grabitura në Rinas? Ponari: Problemi është shumë më i madh…

Miliona euro u grabitën një ditë më parë në pistën e aeroportit të Rinasit, në një ngjarje që mbeti i vrarë dhe një prej grabitësve, ndërsa ngjarja bëri xhiron e mediave botërore.

Por a ishte të siguruara paratë e grabitura? I ftuar në A2 Business Week, Avni Ponari, administratori i një prej kompanive të sigurimit në vendin tonë, u shpreh se paratë ishin të siguruara, por për të nuk është ky problemi.

“Paratë e Rinasit janë të siguruara. Por kjo nuk është fare e rëndësishme, e cila nuk është vetëm për vetëm për Shqipërinë, por edhe për opinionin botëror, si dhe për industrinë e sigurimeve sepse një ngjarje e tillë lë gjurmë në të gjitha tregjet financiare. Kjo është një ngjarje e përsëritur. Vërtetë u paguan edhe paratë e mëparshme që u vodhën, por problemi nuk është ky, por çfarë garancie ka sistemi financiar bankar në Shqipëri. Nëse tregjet financiari i ofrojnë besim të madh, deri më sot, tregut të sigurimeve, tashmë për tregun e sigurimeve do të jetë pak më e vështirë për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare të sigurimeve pas asaj që ndodhi. Ajo ngjarje është një dritë e kuqe në të gjitha tregjet botërore të risigurimeve. Sot në mëngjes, i gjithë tregu ka pasur telefonata nga kompanitë e mëdha se çfarë ka ndodhur. Kjo ishte një vjedhje e veçantë, pasi nuk ka ndodhur gjatë transportit, por në zemër të avionit dhe kjo është e rëndë dhe shumë negative. Por ajo që është e rëndësishme është që tregu i sigurimeve në Shqipëri i ka të garantuara. Marrëveshjet tona janë të tilla që mbulojnë çdo kapacitet, deri në limite”, u shpreh Ponari në A2 Business Week.