Breçani: Ngjarja e Rinasit dështimi i radhës, u vu në rrezik siguria kombëtare

Erzen Breçani, ish drejtues i lartë i Policisë, komenton për A2 CNN ngjarjen e rëndë e ndodhur në aeroportin e Rinasit, ku një bandë e maskuar ka grabitur një shumë të madhe parash dhe ka konfliktuar me forcat e policisë.

Sipas tij, ky është “ dështimi i radhës në një objekt i rëndësisë së veçantë. Plani i masave është marrë por nuk është zbatuar, dhe ka lenë policinë të papërgatitur në një rast kaq të rëndë, që ka vënë në rrezik edhe sigurinë kombëtare”.

Në media është diskutuar që në perimetrin e pistës nuk lejohet kontrolli i armatosur, por Breçani e mohon këtë, duke thënë se një kontroll i tillë zhvillohet por është ekskluzivitet i policisë së shtetit.

Fajin sipas tij e ka “mungesa e koordinimit e shërbimit të policisë dhe policisë private”. Duke nënvizuar faktin që  brenda Rinasit ka një sallë koordinimi të policisë, ai thotë që “është e papranueshme që nuk kanë kryer detyrat funksionale” në parandalimin e ngjarjes së rëndë.

Sipas Breçanit , drejtuesit e lartë të policisë si dhe ministri i brendshëm “janë më të interesuar të kthejnë përgjigje politike opozitës sesa të marrin masat e duhura”.

Breçani thotë që personi i vrarë ka tashmë një identitet të përcaktuar, edhe pse nuk e thotë atë, dhe që kjo do të sjellë edhe në identifikimin e bashkëpunëtorëve.

Breçani komentoi edhe përdorimin e forcës nga forcat e rendit në zonën e Bregut të Lumit, ku u përdor edhe gaz lotsjellës, duke i bërë apel policisë që të përdorë këto mjete që kanë pasoja fizike te njerëzit “ vetëm në fund, pas fazës së negocimit dhe jo në ambiente të mbyllura”.

Shkarkoni aplikacionin e A2