Forcat Speciale të Ushtrisë në Aeroport, Xhaçka: Koncesionari ka dështuar

Forcat Speciale të Ushtrisë Shqiptare gjatë paradës me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. FOTO: LSA

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka kritikuar kompaninë kineze që ka edhe koncesionin e Aeroportit “Nënë Tereza”, një ditë pas grabitjes së miliona eurove brenda zonës kargo nga persona të armatosur.

“Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncensionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht”, tha Xhaçka. “Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil. Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shumë e rëndë e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që  përgjegjësitë penale të jenë konkrete”.

Sipas ministrjes, situata kërkon ndërhyrje urgjente. “Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në  perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, shtoi ministrja.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN