Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Grabitja me armë në Rinas, A2 CNN zbardh dinamikën e ngjarjes

Nga A2 CNN
10 Prill 2019, 10:29 | Kronikë
Grabitja me armë në Rinas, A2 CNN zbardh dinamikën e ngjarjes

Aeroporti i Rinasit është kthyer të martën në vendngjarje të një grabitjeje spektakolare. Persona të maskuar dhe të armatosur rëndë me kallashnikovë dhe granata mundën të depërtojnë në pistë, ku grabitën disa miliona euro që do të transportoheshin drejt Vjenës. Një prej tyre u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të së martës. Sipas policisë, grabitësit janë futur në pistë duke shpërthyer një prej portave të gardhit rrethues që përdorej për shërbimet zjarrfikëse. Ata kanë përdorur një furgon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, truk që i ka ndihmuar të afrohen pa rënë në sy të punonjësve të sigurisë tek avioni ku po ngarkoheshin milionat e eurove. Nën kërcënimin e armëve grabitësit, kanë neutralizuar punonjësit e policisë private dhe ata të bagazheve dhe kanë grabitur paratë.

Skena është parë nga disa prej pasagjerëve, në pritje të nisjes së avionit. Ata kanë dëshmuar se grabitësit ishin të maskuar, ndërsa në trup mbanin antiplumb dhe veshje të zeza të ngjashme me uniforma të forcave speciale.

A2 CNN ka mësuar gjatë largimit grabitësit janë përballur me një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët i janë vënë në ndjekje. Pranë lumit të Tapizës, furgoni ka devijuar në një rrugë dytësore të pashtruar, ku është ndalur për t’u braktisur dhe djegur. Në këtë moment ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë, ku është vrarë një prej grabitësve. Të tjerët kanë lënë aty bashkëpunëtorin e pajetë dhe tre thasë me para dhe janë larguar përmes një mjeti tjetër në drejtim të paditur.

Pranë viktimës, ende të paidentifikuar, policia gjeti një armë kallashnikov dhe një granatë. Për shkak të mungesës së fushëpamjes dhe rrezikut të zjarrit, efektivët e FNSH nuk kanë mundur të vijojnë ndjekjen. Edhe mjeti i dytë i dyshuar si i përdorur nga autorë u gjet i djegur në zonën e Çekrezës.

Të vënë në alarm, policia e shtetit dhe forcat RENEA e FNSH planifikuan postblloqe në pika kyçe rrugore, si edhe ngritën një helikopter për kontroll nga ajri. Gjithë dinamika e grabitjes është fiksuar nga kamerat e sigurisë të aeroportit dhe filmimet po analizohen nga ana e grupit hetimor. Ky nuk është i pari rast ku siguria e Rinasit thyhet nga grabitësit. Në 30 qershor 2016, persona të maskuar u futën në pistë dhe vodhën gati 1 milionë euro që do të transportoheshin drejt Austrisë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu