Grabitja, reagon TIA: Ishin marrë masa shtesë, policia u njoftua në kohë

“Tirana International Airport (TIA)” ka reaguar në lidhje me grabitje e ndodhur një ditë më parë në pistën e aeroportit, ku në deklaratë thuhet se TIA ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj dhe policia është njoftuar në kohë lidhur me ngjarjen.

Në deklaratën e TIA-s thuhet se ishte vendosur të respektohej hetimi nga autoritetet, ndërsa reagimi ka ardhur pas deklaratave të ditës së sotme të ministrit të Brendshëm Lleshaj.

Më herët, Lleshaj reagoi duke kritikuar sjelljen dhe reagimin e kompanisë koncesionare që ka përgjegjësinë për sigurinë fizike. Ministri i Brendshëm paralajmëroi marrjen e masave ligjore kundrejt koncesionarit që sipas tij, shpesh herë as nuk ka denjuar të kthejë përgjigje në korrespondencat që institucionet kanë shkëmbyer pas grabitjes së mëparshme të ndodhur në Rinas.

Ndërkohë, TIA thotë në deklaratë se policia është njoftuar në kohë lidhur me ngjarjen. Gjithashtu thuhet se pas grabitjes së tre viteve më parë ishte shtuar siguria.

“TIA në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues. TIA është pjesë e auditimeve periodike qoftë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, qoftë nga palët e treta. Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë, se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2