Makinat e policisë ushtarake, në aeroportin e Rinasit

Menjëherë pas urdhrit të dhënë pasditen e sotme nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, makinat e policisë ushtarake janë futur në mbrëmje në pjesën ushtarake të aeroportit të Rinasit.

Më herët, Olta Xhaçka, kritikoi kompaninë kineze që ka edhe koncesionin e Aeroportit “Nënë Tereza”, një ditë pas grabitjes së miliona eurove brenda zonës kargo nga persona të armatosur.

“Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncensionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht”, tha Xhaçka. “Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil. Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shumë e rëndë e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale të jenë konkrete”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN