Matura po afron, me risi: Një provim më pak, modaliteti i pyetjeve do të ndryshojë

Matura është një nga momentet më emocionuese për të rinjtë por dhe për prindërit e tyre, sepse shoqërohet shpesh herë me një periudhë plot stres për maturantët. Këtë vit ka disa risi në organizimin e maturës shtetërore dhe për t’i shpjeguar më mirë në studion e A2 CNN ishte e ftuar Zamira Gjini, drejtoreshë e politikave dhe zhvillimit në Ministrinë e Arsimit.

Gjini thotë se i gjithë sistemi parauniversitar ka zhvilluar nga viti 2015 kurrikula të reja, që kanë të bejnë me ndryshime në hartimin e programeve mësimore, metodat e mësimdhënies, që do të realizojnë orë mësimore që do të orientojnë fëmijët drejt aftësive të tyre dhe të “mësuarit përmes veprimit”.

Duke iu referuar maturës, drejtoresha zbuloi se ndryshimi thelbësor i këtij viti ka qenë në planet mësimore, “ku nga 23 lëndë që zgjidhnin kolegët e tyre në vitet e mëparshme, sot lëndët janë 8 me zgjedhje”.

Ndërkohë, Kjo maturë ka një provim me zgjedhje më pak se matura e mëparshme, pra me tre provime të detyruar dhe një provim me zgjedhje.

Gjini i bën një apel për qetësi maturantëve dhe prindërve që përgatiten për provimet, në periudhën nga 7 deri më 24 qershor, sepse ”edhe modaliteti i pyetjeve do të ndryshojë”, duke i bërë jo efektive provat me testet e viteve të mëparshme, që merreshin si referencë. Gjithsesi, Gjini nënvizon se testet e reja ndodhen në shkollat si dhe në faqen web të Qendrës të shërbimeve arsimore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN