Protesta e 13 prillit, Basha: Grabitje me armë në mes të ditës, protesto!

Grabitja e disa milionë eurove në Rinas dhe hedhja e gazit lotsjellës ndaj qytetarëve, janë dy arsye më shumë për kryedemokratin Lulzim Basha për të protestuar më 13 prill.

Nga selia blu, ai ftoi qytetarët në protestë për të prerë lidhjet e qeverisë me krimin.

“Në këto dy muaj është përdoru gaz helmues më shumë se në të gjithë historinë e Shqipërisë, ndërkohë, nuk ka asnjë përpjekje për të luftuar krimin. Vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë në mes të ditës po tronditin sigurinë në mes të qyteteve. I vetmi aktivitet kundër krimit është: “Policia shkoi në vendin e ngjarjes”, kur në Rinas, që është zona me sigurinë më të lartë në vend, kryhet grabitje me armë në mes të ditës, çdokush e kupton fare mirë se në çfarë niveli është policia. Arsyeja dhe shkaku kryesor i rënies së shtetit dhe i mungesës së sigurisë për jetën dhe pronën e qytetarëve është pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime. Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare, prandaj protestojmë të shtunën, më 13 prill, në Tiranë”, tha Basha.