Ushtria në aeroport, Basha: E jashtëligjshme, grusht shteti

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratës së ministres Xhaçka, e cila tha se ka urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura.

Basha e quan këtë urdhër të Xhaçkës të jashtëligjshëm dhe provë të kapitullimit para krimit.

“Dislokimi i forcave të armatosura ushtarake, në mënyrë totalisht antikushtetuese dhe të paligjëshme, është një provë e rënies totale të shtetit dhe të kapitullimit të policisë para krimit. Asnjë alibi dhe fshehje pas aferave të dështuara korruptive mes Edi dhe Olsi Ramës dhe kompanisë koncensionare, nuk do të mbulojë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, që e ka sjellë vendin në kushtet e një grushti shteti kushtetues, përmes kapjes së Parlamentit dhe zgjedhjeve me krimin, dhe tani do ta sjellë në kushtet e një grushti të vërtetë shteti për të dislokuar trupat ushtarake, tani që policia qartësisht ka dështuar të kontrollojë sigurinë dhe rendin, siç nuk ,mund ta kontrollojë asnjë polici, kur krimi është i lidhur me qeverinë”, tha Basha nga Vlora.

Më tej, ai thotë se “rruga e vetme për të rikthyer sigurinë, jo vetëm në Rinas po kudo ku ajo është e tronditur nga tritoli, vrasjet dhe grabitjet, nuk është as largimi i konçensionarit, as largimi i policisë dhe as kthimi i Shqipërisë në një Juntë ushtarake, por është largimi një orë e më parë i shkaktarit të kësaj gjendje, Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale në pushtet”.