Zgjedhjet në Izrael, Netanjahu pritet të sigurojë mandatin e pestë

Benjamin Netanjahu duket se do të sigurojë mandatin e tij të 5-stë si kryeministër, pasi rezultatet e zgjedhjeve të së martës sugjerojnë një koalicion të ri të së djathtës.

 Partia e tij Likut pritet të sigurojë po aq vende në Parlament sa aleanca Bardhë e Blu e ish gjeneralit Benny Gantz, Por Likud dhe aleatët e së djathtës sigurojnë shumicën me 65 vende në parlamentin prej 120 vendesh.

Për Netanjahun këto ishin zgjedhjet më të vështira, ndërsa përballej me akuzat për korrupsion dhe një sfidë të rëndë nga ish gjenerali Gantz. Megjithatë, rezultatet nënkuptojnë se ai do të bëhet kryeministri më jetëgjatë, duke tejkaluar rekordin e themeluesit të shtetit David Ben-Gurion.

Eksit pollet parashikuan një garë të ngushtë, pa fitues të qartë, duke shtyrë Netanjahun dhe rivalin e tij të pretendonin fitoren mbrëmjen e së martës.

 “Do të jetë një qeveri e së djathtës, por unë do të jem kryeministër i të gjithëve. Jam shumë i prekur që populli i Izraelit më dha votëbesimin për herë të peste”, deklaroi Benjamin Netanjahu.

Ndërsa rivali i tij, Benny Gantz, tha se  “është një ngjarje historike, nuk ka ndodhur kurrë më parë në Izrael. Duhet ta nisim që prej kësaj nate dhe jam i sigurt që do t’ ia dalim”.

Asnjë parti nuk ka fituar ndonjëherë shumicën në Knessetin izraelit, çka ka bërë që gjithmonë të ketë qeveri koalicioni. 

69 vjeçari Netanjahu, përcolli mesazhe të forta gjatë fushatës, me fokusin kryesor tek siguria. Ai bëri gjithashtu një njoftim të rëndësishëm, duke sugjeruar se qeveria do të aneksonte kolonitë hebreje në Bregun Perëndimor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN