Arusha vuan dënimin me burgim të përjetshëm

Një arushë po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në një burg ku janë disa prej kriminelëve më të rrezikshëm të Kazakistanit, pasi sulmoi dy njerëz.

Ekaterina – ose Katya – ka kaluar deri tani 15 vite pas hekurave, pas dënimit të ashpër të dhënë kundër saj. Ajo u shpall fajtore për dy sulme ndaj njerëzve në një kamp ku mbahej në kafaz. Ajo është e vetmja femër në burgun ku po vuajnë dënimin 730 kriminelë të rrezikshëm, mes tyre edhe vrasës dënimet e të cilëve nuk i kalojnë 25 vitet.

Ajo është gjithashtu e vetmja e dënuar me burgim të përjetshëm, por të paktën mund të ngushëllohet se ka një pishinë në qeli. Një prej përgjegjësve të burgut shpjegoi: “Ajo është miqësore, aspak agresive. Të burgosurit e tjerë e vizitojnë. Ka një muaj që është çuar nga letargjia dhe ndihet mirë tani”.

Zona e largeët e Kostanait, ndodhet mbi 600 kilometra në veri të kryeqytetit Astana, pranë kufirit me Rusinë. Arusha është bërë një simbol i burgut e madje i është ngritur edhe një shtatore.

Edhe pse një prej personave të sulmuar ishte një i dehur që ishte përpjekur t’i shtrëngonte dorën, autoritetet vendosën që të mbyllnin në kafaz arushën. E duke qenë se në zonë nuk kishte një kopsht zoologjik, atëherë vendosën ta dërgonin në burg.