Grabitja në Rinas, Lleshaj: Nuk ka asgjë për t’u alarmuar

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se grabitja e ndodhur të martën në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka rrëzuar sigurinë kombëtare, por e ka cenuar atë.

Ai mbrojti vendimin e marrë një ditë më parë për përfshirjen e Forcave të Armatosura në sigurinë e aeroportit. “Nuk e pranoj nga askush që është rrëzuar siguria. Megjithatë, në masën e parë serioze u shqetësuan të gjithë pse u vunë Forcat e Armatosura në mbrojtje të aeroportit”, tha ministri.

Megjithatë, Lleshaj tha se sulmi nuk mund të shërbejë si justifikim për sulme ndaj qeverisë. “Nuk ka asgjë për t’u alarmuar, ju a them miqësisht. Nuk është turp kombëtar, është incident. Ta fillojmë nga superfuqia e botës. Mos harroni 11 shtatorin, pre e sulmeve të tilla kanë ndodhur në shtete shumë më të fuqishme”, tha ai. “Megjithëse ra një instrument, funksionuan instrumente të tjerë. Policia ka reaguar në kohë rekord. Është vënë përballë një sulmi të armatosur masiv përballë një grupi kriminal, por ka arritur të dominojë situatën dhe të sigurojë prova të rëndësishme”.