Kryemadhi: I shmang debatet politike me Ilirin, ja ku ndahemi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, foli në emisionin “I Ftuari” edhe për marrëdhënien e saj me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht bashkëshorti i saj.

Kryemadhi u shpreh se me Ilir Metën ndan qëndrime të ndryshme dhe se i shmang diskutimet për LSI-në me të.

Kryemadhi thotë se Meta nuk do t’i digjte kurrë mandatet. Madje, ajo thekson se Presidenti ishte jashtë vendit në atë kohë dhe nuk pati mundësi të ndikonte te deputetët e LSI-së.

“Me Ilir Metën ndajmë qëndrime të ndryshme. Çfarë unë kam sot në politik i kam nga puna ime. Pavarësisht, si bashkëshort, Ilir Meta nuk më ka penguar asnjëherë. Po themi në aspektin që të dish ku të jesh mirënjohëse. Mund të ishte edhe një bashkëshort që nuk të lë të dalësh nga dera e shtëpisë dhe sot ka shumë të tillë. Më ka lejuar të jem kjo që jam. Por nga ana tjetër, pavarësisht qëndrimeve, ku ai mund të jetë radikal për gjëra të tjera dhe unë mund të jem tolerante për gjëra të tjera. Sa i përket sjelljes së LSI e kemi shumë të vështirë që të diskutojmë. Unë i shmangem debateve sepse… debatet tona mund të jenë shumë të egra dhe shumë të forta, sa i përket sjelljes time si LSI dhe sjelljes së dikurshme të Ilir Metës si kryetar i LSI. Kemi dy mentalitet të ndryshme. Ilir Meta kërkon të ketë stabilitet. Unë jam kundër stabilitetit të një individi. Unë jam për stabilitetin e shqiptarëve. Politikës trutë t’i dalin, shqiptarët të jenë të qetë. Nga ana tjetër, Ilir Meta ka qenë dhe do të jetë kundër djegies së mandateve, por kjo gjë shyqyr Zotit ndodhi dhe ai nuk ishte në Shqipëri dhe nuk pati mundësi të ndikonte te deputetët e LSI. Ky është edhe fakti që Edi Rama nuk e priste kurrë, duke e njohur mirë Ilir Metën që nuk do ta bënte këtë gjë. Ai ja dha shansin LSI-së të dalë mbi barrierat e krijuara më përpara”, u shpreh Monika Kryemadhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2