Kryemadhi: Nuk jam në politikë për t’i shërbyer Ilir Metës

Monika Kryemadhi, në emisionin “I Ftuari”, u shpreh se LSI kërkon heqjen e liderëve të fortë dhe krijimin e një sistemi të fortë në vend.

Kryetarja e LSI tha se me gjendjen aktuale të vendit duhet të destabilizohet politika dhe të stabilizohet ekonomia e vendit. Më tej, ajo tha se në politikë nuk është për t’i shërbyer Ilir Metë , por njerëzve që e votuan.

“Mos harrojmë se Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe problemet shpërndahen me vonesë. Nëse ne si klasë politike nuk do të jemi të aftë për të krijuar atë që shqiptarët kanë më shumë nevojë sot. Jo stabilitetin e politikës, por ne duhet ta destabilizojmë politikën dhe të krijojmë stabilitet ekonomik për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre. Kjo do të thotë se secili nga ne duhet të lërë diçka nga vetja, pushteti, për të ndërtuar një strategji të qartë për të ardhmen e shqiptarëve. Ne kërkojmë të heqim liderin e fortë dhe të vendosim sistemin e fortë. Në fillim e kemi ndjerë mungesën e Ilir Metës në parti, pasi kishte persona që ishin aty pasi donin Ilir Metën, tani jo më. Unë nuk jam në politikë për t’i shërbyer Ilir Metës as për t’i shërbyer LSI-së. Unë jam në politik për t’iu shërbyer atij grupi njerëzish që jo vetëm më voton mua, por garanton dhe sistemin. Por sot nuk ka teatër, sot shqiptarët nuk kanë bukë të hanë”, u shpreh Monika Kryemadhi.