Kryemadhi: Shqipëria, problem të madh me NATO-n, anëtarësimi ishte politik

Në emisionin “I Ftuari”, Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, u shpreh se Shqipëria ka probleme me NATO-n, ku ndër të tjera kujton buxhetin e ulët që shkon për ushtrinë.

E pyetur nëse anëtarësimi në NATO ishte apo jo i merituar, ajo tha se vendimi për anëtarësim ishte politik dhe se Shqipëria është e përkëdhelura e SHBA.

“Shqipëria ka një problem shumë të madh në marrëdhënien e saj me NATO-n, kjo në lidhje me buxhetin. Ka probleme që Shqipëria duhet të jetë shumë korrekte, serioze me NATO-n. Marrëdhënie të komunikimit, të marrjes përsipër të detyrave, që ne nuk i kemi zbatuar. Përveç misioneve në Afganistan dhe Irak, në rajon nuk ka marr ndonjë angazhim. Para se të ishte anëtare e NATO-s, Shqipëria ka marrë vlerësime shumë më të mëdha, sot nuk i ka. Duhet një revolucion, ku ushtria shqiptare e ka kthyer Akademiken në kurs 6 mujor. Edhe një presh kur e mbjell do më shumë të bëhet.

Shqipëria është e përkëdhelura e SHBA në NATO. Futja në NATO, sigurisht që ishte qëndrim politik. Çfarë ushtrie kemi ne për sa i përket kapacitetit të armatimeve për të qenë anëtar i NATO-s? Cili është buxheti për ushtrinë? Sa është paga e një ushtaraku? Bëhet sherr për të ikur ushtarakët në Afganistan dhe në Irak.

Shqiptarët janë i vetmi popullor pro amerikan në rajon dhe me orientim euroatlantik. Politika ka marrë një bonus për shkak të sjelljes së popullit tonë dhe sjelljes së politikanëve. Në BE nuk integrohet politika dhe jo populli”, tha Kryemadhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2