Shtyhet Brexit, BE dhe Londra dakordësohen për datën 31 tetor

Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian u dakordësuan për një zgjatje fleksibël të afatit të Brexit deri në 31 tetor. Në përfundim të bisedimeve 5-orëshe gjatë një samiti të jashtëzakonshëm në Bruksel, Presidenti i Këshillit, europian Donald Tusk tha se mesazhi i tij për miqtë britanikë ishte të mos e çonin kohën dëm.

“Shtyrja është fleksibël, por pak më e shkurtër nga sa prisja. Megjithatë, mendoj se mjafton për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Ju lutem mos e çoni dëm këtë kohë”, tha Tusk.

Ai shtoi se tani gjithçka ishte në dorë të Britanisë, pasi nëse marrëveshja e divorcit do të ratifikohej Brexit mund të ndodhte më shpejt. Ekziston mundësia që Londra të marrë pjesë në zgjedhjet europiane.

“Me shumë gjasë do të ketë zgjedhje europiane në Britaninë e Madhe, çka duket e çuditshme, por rregullat janë rregulla e duhet të respektohen”, tha Jean Claude Juncker.

Kryeministrja Theresa May vazhdon të shpresojë që Londra të largohet më herët nga unioni.

“Vazhdoj të besoj se duhet të shkëputemi nga BE me një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Brukseli pranoi se afati mund të shkurtohet nëse marrëveshja do të ratifikohet”, tha Theresa May Kryeministre e Britanisë së Madhe.

Kërkesa fillestare e May ishte që të mundësohej një shtyrje deri në 30 qershor. Unioni ishte i përçarë mbi zgjatjen e afatit të divorcit. Edhe pse vendet europiane mbështetën një shtyrje më të gjatë deri në një vit, presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi një që periudha të ishte më e shkurtër.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN