Ushtria në Rinas, Kroi: S’ka shkelje të Kushtetutës. Daci: T’i japim rëndësi FA

Dy ditë pas super grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit, ushtria ka marrë në ngarkim sigurinë e aeroportit të vetëm të vendit.

Sipas Kushtetutës, Forcat e Armatosura mund të përdoren në rast të gjendjes së jashtëzakonshme dhe në rastin e emergjencave, si ndërhyrje e domosdoshme, pasi janë përdorur të gjitha mjetet dhe strukturat e tjera në dispozicion.

Kërkesës për informacion drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nga ana e Presidentit të Republikës, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka iu përgjigj me fjalët se nuk jemi në luftë që t’i japim informacion Presidentit.

Për të folur për këtë çështje të sigurisë dhe për interpretimin kushtetues ishin të ftuar në “A2 Debat”: Zyhdi Kroi, president i Shoqatës së Ushtarakëve dhe Jordan Daci, konstitucionalist dhe njohës i çështjeve të sigurisë.

Për Zyhdi Kroin policia ushtarake është vendosur në periferi të aeroportit dhe nuk është shkelje e Kushtetutës.

“Ushtria nuk ka ndërhyrë akoma. Ushtria ndërhyn vetëm në dy raste, në rastin kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe në rastin kur shpallet gjendja e emergjencës. Asnjë nga këto nuk është. Në perimetrin e aeroportit është komanda e forcave ajrore, që janë pjesë e Forcave të Armatosura dhe policia ushtarake ka shkuar pikërisht atje. Këto forca që kanë shkuar atje nuk marrin urdhra nga brenda aeroportit. Atje ka një komisariat policie që koordinon me TIA-n. Nuk ka shkelje të Kushtetutës. Forcat e armatosura janë në periferi të aeroportit, nëse ata do të futeshin në veprim brenda perimetrit të aeroportit, atëherë duhej një vendim ose dhe kalim me votim nga Kuvendi”, u shpreh Zyhdi Kroi.

Ndërkohë, Jordan Daci ishte në të njëjtën vijë me Kroi, por shtoi se ndoshta është edhe momenti që të kthejmë kokën nga ushtria, pasi sipas tij, është pjesa më e besueshme në vend.

“Komanda e FA është e vendosur në periferi, ku deri vonë ka pasur edhe disa avionë dhe në radhë të parë është normale që FA duhet të mbrojë në radhë të parë vetën e saj. Marrim rastin që do të kishte një aktivitet, larg qoftë, terrorist. Po pse, ushtari, meqenëse nuk paska vendim parlamenti, do të qëndrojë të shohë sehirë kur ata mund të bëjnë namin në aeroport?! Sigurisht që ne nuk jemi në kushtet që do të kishte rënë gjithçka dhe do të turrej ushtria, pasi në atë rast ushtria do të duhej të shkonte në momentin që nuk ndërhyn askush. Kjo nuk është thjesht se janë parë disa makina në Rinas, por nëse ato do të zëvendësonin forcat e sigurisë dhe të policisë, atëherë duhej të diskutohej nëse është në shkelje apo jo. Nga ana tjetër, ndoshta ky është edhe momenti që të kthejmë kokën nga ushtria e t’i japin rëndësi, pasi për mendimin tim janë pjesa më e besueshme në këtë vend për shumë arsye”, tha Daci.

Shkarkoni aplikacionin e A2