Deklarata e Armand Dukës, “Trajneri i kombëtares, javën e ardhshme”

Trajneri i ri i Shqipërisë, do të zyrtarizohet javën e ardhshme. Kjo është deklarata e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Nga Shkodra, në përurimin e fushës së fondacionit “Lorik Cana 5”, ai nuk preferoi të fliste me emra konkret rreth drejtuesit të ri të stolit, apo lajmet që vijnë nga Itali, se Edi Reja do të firmosë kontratën.

 “Kam thënë se në prill do të emërohet. Sot jemi më datë 12 prill, muaji nuk ka mbaruar ende. Besoj se javën tjetër do të kemi caktuar jo vetëm trajnerin, por të gjithë stafin teknik kuqezi, për të përgatitur ndeshjet e radhës”, deklaroi Duka.

E ndërsa theksoi se Vllaznia po kthehet në elitën e futbollit shqiptar, aty ku e ka vendin, Duka komentoi edhe problematikat e kampionatit: nga dhuna në fushë, te dhuna e presidentëve në rrugë e deri te akuzat për ndeshje me rezultate që përcaktohen në tavolina.

 “Po shohim dhunë fizike edhe në rrugë mes presidentëve dhe ka trajnerë që akuzojnë se rezultatet vendosen në tavolinë? Kjo është garë dhe patjetër që ka emocionet e veta. Gjithsekush është mirë t’i kontrollojë ato, madje t’i shfrytëzojë pozitivisht për të mirën e kësaj loje. Eshtë fundi i një kampionati, të gjithë kërkojnë të marrin maksimumin. Ky maksimum merret përmes lojës, me sa më shumë angazhim, organizim dhe respektim të rregullave”, tha kreu i FSHF-së.

Mes të tjerave, kreu i Federatës konfirmoi se procesi i dorëzimit të stadiumit “Loro Boriçi” te Bashkia e Shkodrës është drejt fundit.