Kërkohet rivendosja e vizave, Parlamenti holandez: Krimi nga shqiptarët është rritur

Holanda do t’i kërkojë zyrtarisht Bashkimit Evropian që të rivendosë vizat për Shqipërinë. Një gjë e tillë u vendos me shumicë parlamentare, me aprovimin e një shkrese, e cila u mbështet edhe nga koalicioni qeverisës.

 Sipas ligjvënësve, kjo erdhi për shkak të rritjes së aktivitetit kriminal të kryer nga mafia shqiptare në Holandë.

“Këto organizata kriminale po përfitojnë nga mundësia për të udhëtuar pa viza në të gjithë Evropën duke zgjeruar kështu rrjetën e tyre të trafikimit”, deklaroi deputetja Madeleine Van Toorenburg.

Pavarësisht kërkesës, ministri i jashtëm I Holandës, Stef Blok tha se nuk ka mbështetje të mjaftueshme mes shteteve anëtare të BE-së për të aprovuar rivendosjen e vizave.

“Shqipëria i përmbush akoma kushtet për heqjen e vizave. Prandaj, kjo kërkesë është e pashpresë”, deklaroi Blok.

Ministri i Drejtësisë, Ferdinand Grapperhaus tha gjatë debatit parlamentar se krimet e kryera nga shqiptarët janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas tij, policia në Roterdam dhe Amsterdam në veçanti, duhet të përballet me banda shqiptare që janë shumë aktive në trafikimin e kokainës.

Shkarkoni aplikacionin e A2