Basha: U vulos largimi i Ramës, protesta më e madhe e kombit shqiptar

Po ashtu si edhe protestat e tjera, edhe protesta e 13 prillit e opozitës u mbyll në selinë e Partisë Demokratike, aty ku Basha mbajti fjalën përmbyllëse.

Kreu i PD e vlerësoi protestën e 13 prillit si protestën më të madhe të kombit shqiptar. Ai u shpreh se opozita nuk do të ndalet, pasi sipas tij, qeveria e Edi Ramës ka rënë.

“Mirënjohje për këtë qëndresë monumentale, për orë të tëra, në këtë natë, në këtë lindje të demokracisë së re. Ju morët me vete dhe bashkuat në këtë protestë, më të madhe të historisë tonë kombëtare dritën e shpirtit tuaj dhe ndriçuat horizontin e shpresës, i cili do të kalojë vetëm mes zgjedhjeve të lira.

Ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën largimin e Edi Ramës si kusht i pa negociueshëm. Një betejë e jashtëzakonshme është zhvilluar sot. Ata u munduan ta shpërndajnë këtë protestë ende pa filluar.

Nuk ia doli dot dhe megjith sfidën e motit, të mbanim sot protestën më të madhe që ka njohur kombi shqiptar dhe të demonstronim vendosmërinë tonë për t’i shkuar deri në fitore. Qeveria kriminale e Ramës, e cila mbahet me paratë e krimit, sot u sot edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, ndaj qytetarëve protestues. Asnjë veprim i kundërligjshëm nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Ramës është vulosur dhe firmosur nga populli sovran. Por përgjigja e sotme përmes bashkimit më të madh që kanë bërë shqiptarët për një kauzë jetike, ku bashkim i madh do të vazhdojë ditë e natë. Sjelljes prej pushtuesi ndaj popullit të tij. Edi Rama dhe klika e tij do të marrë përgjigjen e merituar, duke e trajtuar si pushtues të institucioneve demokratike”, tha Basha.