Mbyllet protesta, Basha: Më e madhja që ka njohur kombi shqiptar

10:02 – Protesta e tretë kombëtare e opozitës – e nënta në total në gati 2 muaj – e zhvilluar te Kryeministria dhe Parlamenti është mbyllur pas rreth katër orësh.

Pavarësisht motit jo të favorshëm, qytetarët të shumtë në numër u mblodhën fillimisht para godinës së Kryeministrisë, ku nuk munguan përleshjet me policinë deri sa u ça edhe kordoni dhe një pjesë e protestuesve u ngjitën në shkallët e godinës.

Më pas, protestuesit u drejtuan te Parlamenti, aty ku edhe pati një përshkallëzim të situatës. Protestuesit hodhën shashka dhe gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa pati edhe 13 të shoqëruar.

Opozita njoftoi për 15 persona të lënduar nga radhët e protestuesve, ndërsa policia për 5 efektivë të plagosur.

Në mbyllje të protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falënderoi protestuesit dhe tha se vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme mund t’i kthejnë legjitimitetin Parlamentit. “Ata u munduan ta shpërndanin protestën pa filluar me lajme të rreme, por nuk ia dolën dot. Dhe me gjithë sfidën e motit ne ia dolëm të mbanim sonte në 13 prill 2019, protestën më të madhe që ka njohur kombi shqiptar”, tha Basha.

10:00 – Mes tensionit dhe protestës që vazhdon ende pranë Parlamentit, pa pasur një orar se kur do të mbyllet, mësohet se policia ka ndaluar 13 persona deri tani.

Protestuesit vijojnë të qëndrojnë të grumbulluar pranë hyrjes së Parlamentit, ndërsa herë pas here tentojnë të afrohen me godinën, ndërsa reagimi i policisë është me gaz lotsjellës.

Në anën tjetër, ka edhe disa persona të lënduar. Ministri Lleshaj, me anë të Twitterit njoftoi se 5 efektivë policie ndodhen në Spitalin e Traumës, ndërsa PD thotë se janë 15 qytetarët e plagosur në këtë protestë.

9:55 – Protesta e opozitës do të vazhdojë dhe nuk ka ende një orë për mbylljen e saj, edhe pse leja është marrë deri në mesnatë.

21:45 – Ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar dhe protestuesit herë pas here afrohen në hyrje të Parlamentit, ku i është vënë edhe zjarri një automjeti, policia u bën thirrje me altoparlant protestuesve që të largohen. “Do të përdoret çdo mjet që lejon ligji”, dëgjohen thirrjet e policisë.

21:42 – Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë bllokuar rrugën George W. Bush, pasi një pjesë e protestuesve nuk po lejonin zjarrfikësen të ndërhynte të shuante zjarrin në automjetin që u përfshi nga flakët pranë Parlamentit.

21:30 – Një makinë ka marrë flakë në rrugën “George W. Bush”, të cilës dyshohet se i është vënë flakë nga një prej shisheve me molotov që kishin disa prej protestuesve.

Makina po digjet prej disa minutash tashmë, ndërkohë që protestuesit janë larguar prej aty. Ata kanë vënë flakën pasi mendonin se i përkiste policisë, ndaj edhe i kanë vënë flakën. Automjeti ka qenë i parkuar që para fillimit të protestës dhe i përket një p8unoinjëse të policisë të Komisariatit nr. 1

Ndërkohë, protesta e opozitës do të vazhdojë dhe nuk ka ende një orë për mbylljen e saj, edhe pse leja është marrë deri në mesnatë.

21:07 – Lleshaj: 5 policë në Spitalin e Traumës. PD: 15 protestues të plagosur

Ndërsa protesta është duke vazhduar ende në zonën rreth Parlamentit, me protestuesit që hedhin kapsolla e policinë që reagon me gazlotsjellës e ujë, ajo që dukët më shqetësuese janë të plagosurit.

20:59 – Edhe Sali Berisha vijon të qëndrojë në protestën pranë Parlamentit, nga ku u shpreh se populli bëri që Rama t’ia mbathë.

“Protesta e opozitës e bëri kryebandën shtetërore te struket, e bëri kryeministrin t’ia mbathë. Besoj se pushteti është i këtyre qytetarëve”, tha Berisha.

20:50 – Vazhdon situata e tensionuar para Parlamentit, ku protestuesit u zhvendosën disa orë më parë që nga Kryeministria, aty ku nisi protesta e sotme e opozitës.

Protestuesit kanë hedhur shashka në drejtim të Kuvendit, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t’i larguar. Megjithatë, numri i protestuesve vazhdon të jetë i lartë, me turmën e njerëzve që vazhdon deri te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me unazën.

20:25 – Përmes një postimi në Twitter, Kryeministri Rama reagon pas përshkallëzimit të situatës, gjatë protestës së opozitës.

“Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”, shkruan Rama.

20:13 – Pas përshkallëzimit të protestës para Parlamentit, reagoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke postuar edhe foto të dy policëve të shtruar në spital. “Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, shkroi Lleshaj në Twitter.

20:08 – Protestuesit po grumbullohen sërish në hyrje të Parlamentit, atje ku qëndron edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, të cilit i është bashkar edhe paraardhësi i tij, Sali Berisha.

19:50 –  Para Parlamentit janë shtuar tensionet, ndërsa ka mbetur i lënduar një prej efektivëve të Ndërhyrjes së Shpejtë, i cili është larguar nga protestuesit nga kolegët e tij. Menjëherë ka ardhur reagimi i policisë, që ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

19:40 – Thuajse të gjithë protestuesit janë larguar tashmë nga pjesa e bulevardit përballë godinës së Kryeministrisë dhe janë duke shkuar për te Parlamenti

19:28 – Protestuesit do të zhvendosen nga Kryeministria te Parlamenti

Të gjithë protestuesit janë nisur tashmë të zhvendosen drejt godinës së Parlamentit. PD kishte kërkuar protestë edhe pranë Parlamentit, por kjo nuk është pranuar nga policia. Megjithatë tashmë protestuesit po i drejtohen Parlamentit.

19:22 – Çahet kordoni i Policisë, protestuesit te shkallët e Kryeministrisë

19:15 – Pas një përleshje të shkurtër me forcat e Policisë, disa protestues kanë arritur të çajnë kordonin rrethues dhe janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë, ndërsa të tjerë protestues përpiqen të rrëzojnë gardhin metalik që rrethon godinën.

Kapsolla të shumta dhe lëndë tymuese janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë ndërkohë që po fliste kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke sjellë edhe reagimin e forcave të policisë, të cilët kanë vendosur edhe maskat kundërgaz.

Përmes thirrjeve me altoparlant, policia i është drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës: “Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarrë, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.

Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë”.

“Merrni masa të menjëhershme që protestuesit që kanë mbuluar fytyrën me shall dhe maska, të zbulojnë menjëherë fytyrën ose të largohen nga protesta. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të Policisë”.

18:44 ““Lumi” i sovranit ka rrethuar “ishullin” e padrejtësisë!” Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë, padrejtësive e krimeve më të përbindshme ndaj shqiptarëve.

Që nga koha e pushtuesve më mizorë nuk kanë parë shqiptarët një pakicë më të urryer. Nuk kanë parë njeri më barbar ndaj popullit të tij. Njeriu që hyri në histori që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, që t’ju prishë shtëpitë dhe veten e tij.

Ky është muzgu u bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Asgjë nuk e ndal më këtë bashkim, as frika dhe as barbaria e horrave dhe as gazi lotsjellës. Nuk na përçan dot, populli është i vendosur, Shqipëria është e bashkuar.

Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e gegëve dhe toskëve, e myslimanëve dhe të krishterëve që i thotë Ramës dhe bandës së tij: shporru!”, tha Basha.

18:38 – Një nga protestuesit ka humbur përballë Kryeministrisë. Shkaqet janë të paqarta.

18:35 – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është bashkuar protestuesve përballë Kryeministrisë

18:25 – Hidhet bojë në drejtim të Kryeministris

18:17 – Në ndryshim nga protestat e kaluara, në protestën e kësaj të shtune, përveç banderolave e thirrjeve “Rama ik”, nuk mungojnë edhe flamujt e PD

18:05 – Me banderola e flamuj të PD, protestuesit janë mbledhur para derës së Kryeministrisë.

17:45 – PD kërkoi që protesta të mbahet në disa zona, nuk u dha leje

Ka pasur një kërkesë nga PD që protesta të mbahet në disa pika, por leja e policisë, mësohet se është dhënë vetëm në bulevard, përballë kryeministrisë

Çadra me mbishkrimin “Ik”

17:21 – Protestuesi nga Lushnja, me qumësht në protestë: Është ulur çmimi

Në protestën e pasdites së sotme të opozitës është bashkuar edhe një përfaqësi e fermerëve të Lushnjës, të cilët protestuan pak ditë më parë duke derdhur produktet e tyre. Një protestues nga Lushnja ka ardhur me shishe me qumësht në këtë protestë. Ai thotë se është ulur çmimi, por shton se kërkon rritje të pensionit.

17:00 – Nuk mungon dhe kundërgazi te policia

Nuk mungon dhe kundërgazi

16:49 – Policia “blindon” Kryeministrinë – VIDEO

Kur ka mbetur edhe pak kohë nga nisja e protestës së opozitës ditën e sotme, e paralajmëruar në orën 18:00 përballë kryeministrisë, me qindra efektivë policie kanë zënë pozicionet rreth godinës.Protestuesit ende nuk janë grumbulluar, ndërsa është bërë e ditur se për sigurinë e kësaj proteste janë të angazhuar mbi 1500 forca policore.

16:44 – “Rama ik”, mbështetës të opozitës nga rrethet drejt Tiranës

Partia Demokratike mban sot protestën e tretë kombëtare, pjesë e nëntë protestave të saj për largimin e kryeministrit Edi Rama.Mbështetës të opozitës nga shumë qytetet të vendit i bashkohen protestës. Në Kukës, drejtues të PD shprehen se do të ketë një pjesëmarrje masive në protestë.Edhe në Shkodër, mbështetësit e PD janë nisur me autobusë dhe me makina personale drejt Tiranës .

***

Opozita proteston sërish në orën 18 të pasdites së sotme. Për herë të tretë opozita do të rrethojë kryeministrinë duke kërkuar largimin e Ramës. 

Ndërkohë godina e kryeministrisë është tashmë e rrethuar me mbrojtëse metalike.

Edhe një herë pritet të ketë një angazhim maksimal të uniformave të policisë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës.

Ndërkohë, Kryeministri Rama ka shtyrë vizitën e parashikuar në Kuvajt. Mësohet se shkak është  bërë agjenda e ngjeshur në samitin e Kinës me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas burimeve,  kreu i qeverisë do të niset të hënën drejt Kuvajtit.

 Në dy protestat e tjera kombëtare, që janë zhvilluar para kryeministrisë Rama nuk ishte në zyrë. Më 16 shkurt, protestë nga e cila u mor vendimi i opozitës së bashkuar për të djegur mandatet, shefi  qeverisë iu kundërpërgjigj me një tjetër aktivitet masiv në Vlorë.

 Një muaj më vonë, po në bulevard opozita rrethoi kryeministrinë me marshime. Zyra e kryeministrit ishte bosh, pasi Rama u zhvendos në Berat me iniciativën “Bashkinë që duam”.