Vetëvendosje në Shqipëri, Feraj: Ndryshon situatën antishqiptare, Kosova dhe Shqipëria po “spastrohen”

Hysamedin Feraj nuk është vetëm një nga pedagogët më të shquar të shkencave politike në vend, por edhe një nga ideologët e Vetëvendosjes në Kosovë. Tashmë që partia e Albin Kurtit zyrtarizoi praninë saj si lëvizje edhe në Shqipëri, padyshim që Feraj do të jetë një nga eksponentët kryesorë.  

I ftuar në A2 CNN, Feraj komenton vendimin e Vetëvendosjes për të mbërritur në mënyrë të qëndrueshme në Tiranë si një akt që “përbën ngjarje”, sepse në qëllimet e saj ka “ndryshimin e situatës antishqiptare të krijuar prej shumë vitesh në Shqipëri”, dhe për t’i “rikthyer shqiptarëve atë që i është grabitur gjatë viteve”.  

 Feraj tregon se Vetëvendosje gjatë viteve ka organizuar herë pas here aktivitete të ndryshme në Shqipëri, “ku sallat kanë qenë të mbushura, ka patur mirëpritje por edhe qortime për vonesë”, por që me vendimin e ri do të jetë “pjesë e përditshmërisë”.  

Por a do të shndërrohet Vetëvendosje nga lëvizje në parti politike, si në Kosovë? Feraj thotë që “ashtu si në Kosovë, ”ky do të jetë një vendim sipas zhvillimeve që pasojnë, dhe i përket së ardhmes”.

I pyetur për momentin që është zgjedhur për këtë hap të rëndësishëm, Feraj komenton se “në Shqipëri ka tre dekada që ka një vakuum politik, por tani Vetëvendosja ka një mundësi për t’u shtrirë dhe marrë përsipër përgjegjësinë e veprimit politik”.

Profesori komenton edhe vendimin e Albin Kurtit për të organizuar protesta masive që do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, ku situata sipas tij është emergjente.  

“Po ndodh një spastrim etnik i dytë në Kosovë, është bërë urgjente që populli të shpëtoi nga qeveritarët e Kosovës”, por nuk mungon edhe këtu paralelizmi me situatën shqiptare.  “Në Shqipëri, situatë e njëjtë, qeveritë kanë çuar popullsinë në marrjen e vendimit për t’u larguar, po ndodh një spastrim etnik edhe në Shqipëri”.