Avioni përplaset me helikopterin në Everest, viktima e të plagosur

Tre persona mbetën të vdekur dhe 3 të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së një avioni të vogël me një helikopter në aeroportin pranë malit Everest.

Avioni i “Simrik Air” ishte nisur nga aeroporti Tenzing-Hillary, përpara se të përplasej me një helikopter që ndodhej në pistë, ka bërë të ditur një zëdhënës i policisë.

Në aksident humbën jetën një prej pilotëve dhe një polic, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spitalin e Katmandusë.

Piloti tjetër i avionit, piloti i helikopterit dhe një tjetër person ishin 3 të plagosurit, të cilët ndodhen në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërkohë, fatmirësisht 4 pasagjerë të tjerë të avionit nuk pësuan lëndime.

Qindra alpinistë shkojnë çdo vit në muajin prill në këtë zonë për t’u ngjitur më pas në malin Everest.

Aeroporti në të cilin ndodhi aksidenti është një nga më të rrezikshmit në botë. Muajin e kaluar, 7 persona, mes të cilëve edhe ministri i Turizmit të Nepalit, humbën jetën në një aksident me helikopter.