Kaos e ironi në fundin e ndeshjes Milan-Lazio

Milani fitoi ndaj Lazio-s një ndeshje mjaft të rëndësishme drejt objektivit Champions, me një gol të shënuar nga Kessie me 11-metërsh në fundin e ndeshjes.

Por ndërsa arbitri vërshëlleu fundin e takimit, lojtarët kishin ende shumë për të sqaruar me njëri-tjetrin, duke shkaktuar një kaos të vërtetë në “San Siro”.

Lojtarët e të dyja skuadrave u përplasën në fushën e lojës, ndërsa u desh edhe ndërhyrja e stafeve teknike si edhe të sigurisë për të qetësuar situatën.

Por nuk ishte vetëm kjo. Tensioni mes lojtarëve kishte nisur që para fillimit të ndeshjes. Mbrojtësi i Lazios-s, ish-lojtar i Milanit, Acerbi kishte thënë se: “Do të shkojmë në Milano për të fituar, jemi të fortë”. Këto fjalë të tij u shpërndanë në Twitter nga një tifoz, i cili mori edhe reagimin e mesfushorit të Milanit, Bakayoko: “Shihemi të shtunën”.

Pas ndeshjes dhe incidentit në fundin e saj, si për të qetësuar gjakrat, Acerbi ka ndërruar bluzën me mesfushorin e Milanit, i cili së bashku me të është drejtuar te ultrasit e kuqezinjve, si për t’i treguar atyre se ai kishte pasur të drejtë.

Për këtë veprim të francezit, Acerbi reagoi sërish në Twitter: Më vjen keq sepse e kam shkëmbyer fanellën për t’i dhënë fund çështjes, nxitja e urrejtjes nuk është sport, por është një shenjë dobësie”.

Ky takim u mbyll, por Milani dhe Lazio do të ndeshen sërish vetëm pas 10 ditësh, por këtë herë në takimin e vlefshëm për Kupën e Italisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2