Teksas, propozohet dënimi me vdekje për femrat që kryejnë abort

Disa ligjvënës në Teksas, SHBA, kanë menduar që të hartojnë një projektligj që do të lejonte Prokurorinë të kërkonte dënim me vdekje për një grua që kryente një abort, duke e futur këtë veprim në listën e krimeve të dënueshëm me vdekje.

Projektligji e konsideron abortin si “vrasjen e një fëmije të që s’ka lindur ende”, duke u mbivendosur kështu mbi ligjet federale që e konsiderojnë abortin si një të drejtë të nënës, mbrojtur nga amendamenti i 14 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

“Një qenie njerëzore, që nga momenti i fertilizimit, ka të njëjtat të drejta, fuqi, dhe privilegje që i garantohen me ligj çdo qenieje tjetër njerëzore”, thuhet në projektligj.

Projektligji nuk është miratuar ende në komisionin përkatës dhe nuk ka dalë për debat në dhomën e përfaqësuesve të shtetit të Teksasit. Por gjatë seancave dëgjimore, më shumë se 446 persona që diskutuan dhanë miratimin e tyre për këtë nismë, ndërsa vetëm 54 ishin kundër. Kongresmenja demokrate e Teksasit Victoria Neave tha se ligjvënësit shtetëror “po përpiqeshin t’i bënin grave pikërisht atë për të cilat i akuzojnë se duan t’i bëjnë fëmijëve duke abortuar”.

Por përfaqësuesi republikan në Asamblenë Shtetërore Toni Tinderholt, i cili ka bërë propozimin, tha se projektligji nuk shënjestronte femrat, por bënte të mundur që të gjithë ata që kryenin një vrasje të dënoheshin.