PD paditi Lleshin, Bardhi: Ministri i Brendshëm, mbetje e komunizmit

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ishte sot në Prokurorinë Tiranës për padinë e Partisë Demokratike kundër ministrit Sandër Lleshaj dhe policisë për përdorimin “kriminal”, siç e quan PD, të gazit lotsjellës në protestë.

Pas daljes nga Prokuroria, Bardhi u shpreh se ka dhënë fakte dhe prova të disponuara nga PD “mbi veprimet e kundërligjshme të policisë së shtetit, të cilët me urdhër politik kanë penguar qytetarët të protestojnë”. Ndërkohë, ministrin e quajti mbetje të komunizmit.

“Dua t’i bëj thirrje organit të Prokurorisë të mos bëhet shtojcë e policisë së shtetit, të ngrohet në lartësinë e shtetit. Nuk është një organ nën varësinë e ministrisë së Brendshme. Sot ka 40 qytetarë që janë në burg pa asnjë provë, nuk ka asnjë pamje filmike që kanë kryer akte të dhunshme dhe nuk ka asnjë hetim e gjykim ndaj atyre që kanë dhunuar qytetarët.

Apeli im është për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk kanë për ta kaluar Vettingun duke i shërbyer në mënyrë kriminale qeverisë. Fundi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që i shërbejnë në mënyrë kriminale qeverisë do të jetë i njëjtë me këtë qeveri.

Ministri i Brendshëm është një mbetje e kohës së komunizimit. Koha që protesta trajtohej si puç kushtetues ka përfunduar 30 vite më parë. Askush nuk do të mund të tremb qytetarët”, tha Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2