Përpjekjet e dështuara të Qeverisë për të ulur borxhet

Edhe pse fundi i vitit konsiderohet periudha kur qeveria bën korrektimet e buxhetit, duke bërë alokime nga njëri zë te tjetri, nuk arriti dot të zëronte borxhet e krijuara te biznesi. Vetëm në tremujorin e fundit të 2018-ës, u krijuan rreth 1 miliard lekë detyrime të pashlyera. Shifër që ka arritur në total 6,1 miliardë lekë, siç pohon vetë Ministria e Financave.

Por ndaj kujt janë borxhet? Të dhënat e detajuara tregojnë se mbi gjysma i takojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për vonesat që rrjedhin nga pagesat në mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve, vendimet gjyqësore dhe borxhet e ndërmarrjeve të Ujësjellës Kanalizimeve, që vetëm në tre muaj u rritën me 455 milionë lekë.

Dikasteret e tjera me borxhet më të mëdha janë Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë.

Detyrimet e prapambetura janë rikthyer si një shqetësim për financat publike vitet e fundit, duke ngjallur edhe reagimin e partnerëve kryesorë financiarë të qeverisë, si FMN dhe Banka Botërore. Kjo pasi në vetvete bëhet fjalë për borxh, që edhe pse i pakontabilizuar, duhet paguar.

Por si ka qenë qasja e Qeverisë ndaj detyrimeve të prapambetura? Nga të dhënat që publikon Ministria e Financave, rezulton se në fillim të vitit borxhi u reduktua nga 5,7 miliardë lekë në 4,1 miliardë në muajin mars, për t’u rritur në 6 muajt pasues e për të kapërcyer 6,9 miliardë lekë në  shtator.

Në tremujorin e fundit, qeveria u angazhuar përpara FMN-së e Bankës Botërore për uljen e këtij treguesi, që në dhjetor zbriti në 6,1 miliardë lekë. Por shuma e detyrimeve mbetet ende e konsiderueshme dhe siç duket edhe nga grafiku, më e lartë se në dhjetorin e 2017-ës.

Borxhet e TVSH-së, qeveria dhe FMN me shifra të ndryshme

Ndërkaq një tjetër fakt që vlen të përmendet për këtë çështje është se shifrat e publikuara nga Ministria e Financave kanë mospërputhje me ato reflektojnë institucionet ndërkombëtare si FMN, sa i takon zërit të detyrimeve të prapambetura në tatime. E thënë ndryshe, në rimbursimin e TVSH-së, që mbetet një ndër shqetësimet kryesore. Kjo edhe për faktin se krijon shumë probleme tek biznesi, duke e vendosur natë ë vështirësi me mungesë likuiditeti.

Sipas Qeverisë, mosrimbursimet e TVSH-së arrijnë në 105 milionë lekë. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se deri në tetor 2018, shteti u kishte borxh bizneseve plot 14.4 miliardë lekë.

Duke analizuar edhe shpenzimet buxhetore për rimbursimin e TVSH-së përgjatë muajve të fundit, është e pamundur që qeveria të ketë shlyer 90% të kësaj shume në tre muaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN