Pezullimi i rektorit Koni: “Arsye politike, universiteti nuk ka autonomi”, “Jo, vendimin e ka Meta”

Të shtunën me 13 prill, ministrja e arsimit Besa Shahini kërkoi zyrtarisht pezullimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni si pasojë e shkeljeve të rënda që ka gjetur grupi i inspektimit të Ministrisë së Arsimit.

Pro vendimit të ministres Shahini kanë dalë sot edhe dekanët e universitetit. Ata e kanë quajtur eficent por të vonuar një vendim të tillë.

Por kundër këtij vendimi ka dale Partia Demokratike me disa nga përfaqësuesit e saj. Nuk dihet çfarë qëndrimi do te mbajë presidenti Ilir Meta, i cili ende nuk e ka firmosur shkarkimin e rektorit Mynyr Koni.

Për të folur për këtë situatë në kupolën drejtuese të universitetit të Tiranës,  ishin në studion e A2 CNN Luciano Boci nga Partia Demokratike, dhe Plarent Ndreca, jurist, avokat dhe ish sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e arsimit.

Sipas Bocit, ministrja Shahini “nuk ka tagër” të pezullojë rektorin, por edhe të vlerësojë shkeljet për të cilin ai është akuzuar, që duhet të hetohen nga organe të caktuara.

Sipas tij, arsyetimi që çoi në shkarkimin e Konit nga Shahini është në fakt  i “parapërgatitur në zyrat politike, ku ka patur një tendencë që Koni mos të merrte drejtimin  e Universitetit të Tiranës”.  

Kjo pra sipas tij është një projekt i Rames, i cili e ka sulmuar vazhdimisht rektorin Koni, që ishte “targeti” i preferuar gjatë protestave, në kuadër të “kapjes të universitetit” nga kryeministri.

“Si mund të jetë autonom një universitet ku rektori shkarkohet nga një ministër politik”, arsyeton Boci.

 Por sipas Ndrecës, nuk ka asnjë ndërhyrje të autonomisë, nga momenti që “është saktësuar që ministrja mund të pezullojë por nuk mund të shfuqizojë një akt të rektorit në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe vendimmarrja përfundimtare është i presidentit Meta”.

Ndreca nuk kupton në këtë kuadër reagimin politik të opozitës, sepse vendimmarrja presidenciale duhet të linte të qetë Partinë Demokratike.

Shkarkoni aplikacionin e A2