Zgjedhjet në Finlandë, populistët humbasin për vetëm 0.2 përqind

Zgjedhjet parlamentare në Finlandë rezultuan në një fitore të ngushtë të socialdemokratëve, por partia e ekstremit të djathtë, finlandezë të vërtetë renditet e dyta me vetëm 0.2 përqind vota më pak,; 17.7 kundrejt 17.5 perqind.

Partia e qendrës së kryeministrit në largim Juha Sipila, u pozicionua e treta. Diferenca e ngushtë do ta bëjë të vështirë krijimin e qeverisë.

“Prisja rezultate më të mira. Shpresoja se mbështetja për ne do të tejkalonte 20 përqindëshin, por megjithatë kjo është hera e parë që prej 1999-tës që SDP-ja është partia më e madhe në vend”, tha Antti Rinne, lider i SDP.

Kjo është hera e parë në më shumë se një shekull që asnjë parti nuk ka siguruar më shumëse 20 përqind të votave. Për Jussi Halla-aho, drejtues i partisë së ekstremit të djathtë, finlandezët e vërtetë, rezultatet janë arsye për të festuar.

Gjatë fushatës ai u kërkoi mbështetësve të votonin për kufijtë. Shumica e partive kanë përjashtuar mundësinë e krijimit të koalicionit më populistët e djathtë. Qeveria e Sipilas dha dorëheqjen muajin e kaluar, pasi dështoi në përmbushjen e një prej synimeve kryesore politik, reformën e ndihmave sociale dhe atë shëndetësore.