Bardhi: 40 qytetarë u morën peng nga banda qeverisëse, burgosje politike

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2CNN nga ku foli për ndalimin e protestuesve nga policia pas protestës së 13 prillit dhe vendimit të sotëm të gjykatës për masat e arrestit për ta.

Bardhi u shpreh se Gjykata vendosi sot masën arrest me burg për 3 nga protestuesit, ndërsa 40 të tjerë janë lënë të lëri, për të cilët ai shprehet se ishin marrë peng për 48 orë.

Më tej, Bardhi i quan ndalimet e protestuesve si burgosje politike. “40 qytetarë të Shqipërisë ishin marrë prej 48 orësh peng nga banda që qeveris sot vendin. Gjykata konstatoi se nuk kishte asnjë provë që këta qytetarë të kishin kryer akte dhune. Pra, kishim një burgosje politike të tyre, me urdhër politik. Shumica e tyre janë ndaluar sapo dilnin nga selia e PS.

Në momentin e arrestimit të tyre ka pasur një raport shërbimi nga disa punonjës policie të keqpërdorur politikisht dhe me urdhër politik që konstatonin se individët ishin përfshirë në akte dhune. Vendimi i gjykatës tregoi se ky raport ka qenë i falsifikuar”, u shpreh ndër të tjera Gazmend Bardhi.

Më tej, ai thotë se të gjithë ata që kanë falsifikuar për të mbajtur në burg qytetarë të pafajshëm të këtij vendi, është shumë e shpejt dita që do të përgjigjet para ligjit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN