Haradinaj i përgjigjet Kurtit: Çakorri dhe Kulla janë pjesë e Kosovës, disa duhet të skuqen nga gjërat që thonë

Iu deshën disa ditë për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të ashpra të opozitës. Kryeministri, Ramush Haradinaj tha se me demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk ka humbur territor.

Shefi i qeverisë së Prishtinës tha se kushdo që shkon drejt kësaj rruge e ka gabim.

 “Nuk është falë Çakorri as Kulla, gënjeshtër është, krejt ata që gënjejnë e dinë që janë duke gënjyer. Por e bëjnë për arsye të ulëta. Nuk do të lejojmë të ndahet Kosova as të preken kufijtë e Kosovës, as toka e Kosovës, as territori, kush shkon asaj rruge e ka gabim, qoftë vëlla i yni qoftë tjetër”, tha Haradinaj.

Haradinaj kritikoi sulmet e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të cilat tha se vijnë në një kohë kur Kosova po përballet me Serbinë.

 “Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumica prej tyre kanë me u skuq për ato që po i bëjnë që janë të padrejta, në kohën kur jemi duke u  përballur me Serbinë, me agjendat e Vucicit, me planet e tij për të ndarë Kosovën, me planet e ndërkombëtarëve tjerë me na e ulë kokën, goditjet që vijnë nën brez vëllezërve e motrat tona nuk janë në rregull”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Ndër të tjera Haradinaj theksoi se ndërkombëtarët nuk kanë aleat më të fortë se shqiptarët në Ballkan, pasi është një popull properëndimor euroatlantik.

Shkarkoni aplikacionin e A2