Përkeqësohet situata, më pak ujë në çezmat e shqiptarëve

3 vjet kanë kaluar nga deklarata e ashpër e Kryeministrit Edi Rama, por gatë kësaj kohe, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar në gjendjen e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.

Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, niveli i arkëtimit ka pasur lëvizje gati të pandjeshme nga 78,4% në 2016, në 79% në fund të 2018-ës. Ndërsa humbjet, e thënë ndryshe uji që derdhet dhe nuk gjeneron të ardhura është ulur lehtë nga 67,1% në 63,4%. Po ashtu, edhe numri i madh i të punësuarve apo organika e fryrë siç e quan Kryeministri, nuk ka ndryshuar.

Një situatë që në finale sjell më pak ujë në çezmat e shqiptarëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se furnizimi me ujë është përkeqësuar nga 12,3 orë në ditë në 2016-ën, në 11,6 orë në ditë në fund të 2018-ës.

Ky është edhe treguesi më i qartë i një sektori, që është tërësisht jashtë kontrollit të pushtetit vendor, si menaxhuesi kryesor i ujësjellës kanalizimeve, por edhe Qeverisë, si përgjegjësja kryesore që shqiptarët të kenë shërbimet bazë.

4-fishohen borxhet e ujësjellësve, nuk paguhen as sigurimet

Ndërkaq gjendja financiare e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve është përkeqësuar. Borxhet që ato kanë akumuluar gjatë tre viteve të fundit janë rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura arrijnë në 948 milionë lekë, duke u rritur me rreth 4 fish kundrejt marsit 2018.

Të dhënat e detajuara tregojnë se një pjesë e mirë e borxheve më saktësisht 55,2 milionë lekë janë detyrimet e pashlyera rregullatorë ndaj Entit Rregullator të ujit, borxhe të tjera janë akumuluar tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për shkak të mospagesës së faturave të energjisë, detyrime të tjera ndaj furnitorëve dhe sigurimet shoqërore të punonjësve.

Shkarkoni aplikacionin e A2