Procesi i zgjerimit me BE, Ballkani perëndimor në moment pasigurie, shtohen skeptikët

Gati gjysma e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë kundër zgjerimit, krejt e kundërta ndodh me banorët e Ballkanit Perëndimor.

Nga qytetarët e rajonit, 72%  mendojnë se jeta e tyre do të përmirësohet ndjeshëm nëse bëhen pjesë e unionit.

Në nivele alarmante është mosbesimi ndaj qeverisë, parlamentit dhe gjyqësorit, ndërsa presin me shumë nga shoqëritë civile.

Raporti u publikua nga sekretarja e përgjithshme e këshillit e bashkëpunimit rajonal, Majlinda Bregu. “Jemi një muaj para zgjedhjeve në PE. Është kohë e pasigurisë për gjithë ne, për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Sot 60% të qytetarëve në Rajon nuk beson se sistemi gjyqësor ose Parlamenti i tij do të sjellë ndryshime pozitive për rrjetën e tyre”, deklaroi Bregu.  

Në forumin e shoqërisë civile për Ballkanin Perëndimor, Bregu kërkoi nga organizatat  joqeveritare të vlerësojnë raportin dhe mos mbeten peng i financimeve.

Ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor theksuan rëndësinë e dialogut politik dhe reformave për procesin e zgjerimit.

“Bojkotet nuk janë kurrë zgjidhje. Debati nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara. Shpresoj që Ballkani perëndimor të hyje në Bashkimin Evropian,  në mënyrë që ky rajon të integrohet sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Angelina Eichhorst, drejtoresha për Evropën Perëndimore, për European External Action Service.

Në qershor Bashkimi Evropian pritet të vendosë nëse do t’i hapë negociatat me Shqipërinë.