A2 CNN në Paris, ku sytë e gjithë botës drejtohen nga Notre Dame

Përreth katedrales së Notre Dame, në qendrën e Parisit, gjithë vëmendja e botës përqendrohet në strukturën e mbijetuar nga zjarri që në pak minuta shkrumboi dje 850 vjet histori.

Por pikërisht në orët e fundit, populli francez ka ditur të bashkohet dhe të reagoi, me presidentin Emmanuel Macron që premton që katedralja do të ndërtohet “për 5 vjet”, dhe me sipërmarrës të famshëm që kanë dhuruar qindra milionë euro për të siguruar fillimet e punimeve.

A2 CNN ndodhet në kryeqytetin francez me gazetaren Rosalba Bejdo, për të prekur me dorë atmosferën e solidaritetit njerëzor të krijuar pas zjarrit që ka shkatërruar një pjesë të katedrales së famshme.

Sipas saj, situata sot dukej më e qetë, flakët janë shuar në katedralen që ka humbur krenarinë e dikurshme, por jo dashurinë e atyre që po i afrohen si në një pelegrinazh.

Nuk mungojnë pikëpyetjet për qëndrueshmërinë e strukturës, dhe disa elementë, si pemët nga u morr lënda e parë për çatinë, më shumë se 800 vjet më parë, sot nuk ekzistojnë në Francë.

Ndërkohë, qindra të rinj këndojnë këngë patriotike buzë lumit Senë, si për t’i dhënë kurajo vetes dhe katedrales së shquar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN