Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Bllokimi i Kushtetueses, juristët për A2 CNN: Demokracia në rrezik

Nga A2 CNN
17 Prill 2019, 20:07 | Aktualitet
Bllokimi i Kushtetueses, juristët për A2 CNN: Demokracia në

Ingranazhet e këtij institucioni, roje e Kushtetutës, kanë ngecur. Por çfarë ndodh në një vend ku Gjykata Kushtetuese nuk funksionon? Për avokatin Alfred Duka, situata vë në dyshim ekzistencën e demokracisë.

“Praktikisht një vend pa Gjykatë Kushtetuese do të thotë në mungesë të plotë të demokracisë. Sado demokratë të jenë drejtuesit e institucioneve shtetërore ata kanë tendencën natyrore të tyre për t’i zgjeruar kompetencat e tyre tej parimeve dhe tej kufijve demokratikë, në mbrojte të të cilave del Gjykata Kushtetuese”, thotë Duka.

Rendi demokratik në vend shihet si i rrezikuar edhe nga avokati Arianit Roshi. “Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet drejtpërdrejt me funksionimin ose jo të demokracisë. Lidhet me parimin e ndarjes së pushteteve sepse, normalisht, është Gjykata Kushtetuese ajo që garanton mbivendosjen e kompetencave të pushteteve të ndryshme. Me rënien e Gjykatës Kushtetuese bie kontrolli Kushtetues dhe më rënien e kontrollit kushtetues demokracia është në rrezik”, shprehet Roshi.

Avokati Isuf Shehu thekson se një Kushtetuese jashtë funksionit lë të pambrojtur qytetarët ndaj ligjeve anti-kushtetuese. “Juridikisht ne e kemi Gjykatën Kushtetuese, por nuk kemi gjyqtarë. Do të thotë që ne nuk mundemi ta anashkalojmë, ose individi të paktën, t’i drejtohet institucioneve të tjera siç është Strasburgu. Ne nuk mundemi dot as të mbrohemi nga ato ligje, që nëse miratohen nga Parlamenti me shumicë absolute apo shumicë të thjeshtë nuk mund të kundërshtohen si anti-kushtetues. Nga bllokimi i saj në maj 2018, kur nuk e kishte më të mundur të formonte numrin minimal të nevojshëm të gjyqtarëve për të zhvilluar gjyqe, në Kushtetuese janë depozituar 81 ankime”, thotë Shehu.

Derisa kjo gjykatë të mos funksionojë, Kushtetuta, akti themeltar i shtetit, mund të shkelet me lehtësi nga çdo mazhorancë qeverisëse, apo gjykata të niveleve më të ulëta. Ndërkohë, demokracia është gjithmonë e më shumë në rrezik.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani