Policët i shkuan në shtëpi për ta arrestuar, vetëvritet ish-Presidenti i Perusë

Ish-Presidenti i Perusë, Alan Garcia, qëlloi veten në kokë ndërsa policia po shkonte ta arrestonte. Garcia akuzohej për marrje ryshfeti nga një kompani braziliane ndërtimesh, Odebrecht, akuza që i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme.

Vdekja e tij u konfirmua nga Presidenti në detyrë, Martin Vizcarra, i cili shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve për humbjet.

Partneri i CNN në Peru, “TV Peru”, raporton se 69-vjeçari Garcia u dërgua me urgjencë në spital menjëherë pasi qëlloi veten në kokë, pak minuta pasi policia kishte shkuar në shtëpinë e tij për të ekzekutuar urdhrin e arrestit. Me të mbërritur autoritetet aty, Garcia ishte mbyllur në dhomë me pretekstin për të telefonuar avokatin, ndërsa u gjet i shtrirë pasi u dëgjua një e shtënë arme.

Garcia, i cili shërbeu si President i Perusë në periudhën 1985-1990 dhe sërish në vitet 2006-2011, gjithmonë i kishte mohuar akuzat, duke i quajtur spekulime. Në nëntor të vitit të kaluar kishte kërkuar azil në ambasadën uruguaiane në Lima, pasi i ishte ndaluar nga Gjykata që të largohej nga vendi për 18 muaj. Kërkesa i ishte refuzuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN