Prezantohet Edy Reja, trajneri i ri i Kombëtares: Lojtarët duhet ta ndjejnë fanellën

Më në fund bëhet zyrtare. Edy Reja nënshkruan si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Ish-trajneri i Napolit, Lazio-s e të tjera skuadrave, tashmë do të drejtojë kuqezinjtë.

Nënshkrimi i kontratës dhe prezantimi para gazetarëve është mbajtur në orën 16:00 të së mërkurës, ku italiani ka folur për herë të parë si trajner i Shqipërisë.

Reja tregoi për takimin e parë me Shqipërinë dhe presidentin Duka. “U takuam pas Turqisë sepse punoja përkohësisht me Napolin për të monitoruar lojtarë. Nuk i kam sjellë fat Shqipërisë, sepse luajti një ndeshje të dobët, por në ndeshje të tjera kam parë cilësi më të mira”.

Më pas, trajneri zbuloi diçka për kontratën e tij. “Kontrata ime zgjat deri në nëntor, pastaj të shohim a kemi mundësi të vazhdojmë. Duhet të shoh si funksionon futbolli dhe Federata, por edhe duhet të tregoj veten. Nuk kam bërë asnjëherë kontrata më të gjata se një vit, kam parë gjithmonë mundësitë, dhe këtë do të bëj edhe me Shqipërinë. Kisha mundësi të punoja edhe me ekipe të tjera në Itali, por unë dëshiroja të gjeja një kombëtare, sepse të përfaqësosh një shtet është një përgjegjësi e madhe. Pjesa ekonomike nuk është rëndësishme, kam qysh kur isha 16 vjeç që kam ikur nga shtëpisë për të luajtur futboll”.

Reja nënvizon se “është një profesion i ri për mua. Nuk ke lojtarët çdo ditë, duhet të kuptosh me sy klinik, në qoftë se ai lojtar vlen apo jo. Këtë muaj duhet të flas me të gjithë lojtarët, me disa kam folur, në veçanti lojtarët që luajnë në Itali.

Për objektivat, tekniku italian është i qartë. “Nuk premtoj asgjë, se kam bërë kurrë. Dua të gjej lojtarë që të jenë të bindur të japin 200% për fanellën dhe kombin që përfaqësojnë. Shpirti i grupit është i rëndësishëm, dhe kam përshtypjen që diçka nuk shkonte në këtë pike, kohët e fundit. Shqipëria duhet të ketë një logjikë, të ketë një mentalitet dhe një agresivitet të caktuar. Por disa herë trajneri arrin këtë identitet edhe falë rezultateve. Prandaj dua që të hyj shpejt në sintoni me lojtarët, për të kuptuar motivimin e secilit. Më jepni pak kohë që ta njoh pak më mirë situatën”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN