“Vende të BE kanë më shumë kriminelë se sa ne në Holandë”

Parlamentarët holandezë kanë votuar në shumicë pro rikthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë. Nga 150 ligjvënës që ka Parlamenti, 105 prej tyre kërkuan rikthimin e vizave me Shqipërinë.

Por për qeverinë shqiptare, që ka nxituar të qetësojë opinionin publik, ky është një vendim i papritur, sepse nuk ekziston baza ligjore për të.

Zëvendësministri i Jashtëm, Sokol Dedja, shpjegoi në A2 Debat se nuk janë përmbushur kushtet që të kërkohet rikthimi i regjimit të vizave. “BE ka kritere të caktuara qartë me indikatorë sasiorë, për të marrë këtë vendim të jashtëzakonshëm, siç e quan Komisioni Europian. Duhet të ketë rritje të konsiderueshme të kërkesave për azil dhe mungesë bashkëpunimi të vendit të origjinës, ose rritje të kriminalitetit nga vendi i origjinës në atë masë sa të përbëjë rrezik për vendin anëtar të Bashkimit Europian. Asnjë nga këto kushte nuk qëndron”.

Por, përse pikërisht në këtë moment partitë holandeze vendosën të bëjnë një lëvizje të tillë? Shifrat tregojnë se numri i të dyshuarve shqiptarë që janë në sistemin gjyqësor holandez ka pësuar rënie. “Pesha e të dyshuarve shqiptarë në Holandë është thuajse e papërfillshme, 0,02% e të dyshuarve janë shqiptarë. Vende të BE me numër të përafërt popullsie, si Letonia, kanë dyfishin e të dyshuarve shqiptarë në vitin 2018”, shtoi Dedja.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN