Vrasësi, grabitësi dhe trafikanti, 3 të ekstraduar nga vendet e BE në Shqipëri

Tre persona janë ekstraduar nga shtetet e Bashkimit Europian për në Shqipëri të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Ilir Kapllanaj, 49 vjeç, banues në Fier, është arrestuar në Wiesbaden të Gjermanisë dhe është ekstraduar në Shqipëri, ku është dënuar me 23 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 2000, ku bashkë me tre persona të tjerë ka ekzekutuar shtetasin G.L.

Ndërkohë, dy të kërkuar të tjerë janë ekstraduar nga Roma drejt vendit tonë. 28-vjeçari G.L., 28 vjeç, nga Tropoja, ishte i dënuar për 4 vjet për vjedhje të kryer në bashkëpunim, ndërsa kishte edhe një dënim tjetër me 1 vit e 4 muaj, për kundërshtim të policisë. Ndërsa shtetasi R.R, 54 vjeç, banues në Vlorë, është ekstraduar pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Kultivimit të bimëve narkotike”.