Calja: Synimi im, medalje në Lojërat Olimpike

Pavarësisht problemeve të shumta të peshëngritjes në Shqipëri, Briken Calja ka një synim të vetëm, të sjellë në atdhe një medalje olimpike nga Lojërat e vitit 2020 që zhvillohen në Japoni.

“I vetmi synim i imi janë Lojërat Olimpike dhe medalje. E kam premtuar edhe në vitin 2019 medalje në Europian dhe do ta bëj këtë edhe në Lojërat Olimpike”, u shpreh Calja në A2 CNN, në emisionin “I Ftuari” me Endri Xhafon.

Ligji i sportit i garanton sportistëve elitarë një vend pune në strukturat e ministrisë së Brendshme ose të Mbrojtjes. Por Calja shpjegon se kjo nuk ka ndodhur. “Edhe sot e kësaj dite kam çuar dokumentet, që mua në duket e çuditshme, sepse kriteri kryesor i Qeverisë janë medaljet. Unë mund të jem edhe me shkollim 8-vjeçar”, tha Calja.

Me gjithë problemet, ai nuk e ka menduar asnjëherë largimin dhe përfaqësimin e një shteti tjetër. “Jo, absolutisht. Pavarësisht nga gjithçka do ta vazhdoj karrierën në Shqipëri”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN