Disiplina kryqëzon Besën, i dhuron Bylisit Superioren

Duhej të ishte një finale për elitën, e cila do të vendosej në fushën e lojës. Në fakt, ndeshja ndërmjet Besës dhe Bylisit u ndërpre 12 minuta përpara fundit, ndërsa miqtë kryesonin 1-0, për shkak të dhunës dhe sendeve të forta të hedhura nga tribuna.

Për ngjarjet e fundjavës së kaluar, klubi nga Kavaja u dënua me humbjen e ndeshjes 3-0 në tavolinë dhe zhvillimin e tetë takimeve si skuadër pritëse me dyer të mbyllura.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës praktikisht i dhuron Bylisit biletën drejt elitës. Kryesuesit e Grupit B në Kategorinë e Parë tashmë kanë 6 pikë më tepër se rivalët direkt në renditje. Për ngjarjen u dënua gjithashtu edhe zyrtari i klubit, Emiljano Bizhdili: për sjellje jo-sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, fizeoterapisti i Besës u pezullua për 8 ndeshje.

Dënimet për dhunën vijuan edhe me duelin direkt të mbijetesës, ku Veleçiku fitoi 3-1 me Shënkollin. Incidentet pas ndeshjes, u shoqëruan me pezullime te Shënkolli, ku lojtari Mirdita skualifikohet për 8 ndeshje, ndërsa Pjetrushi për 10 javë.

Disiplina hodhi poshtë edhe kërkesën e sulmuesit të Tiranës, Michael Ngoo, për faljen e pjesës së mbetur të dënimit, pas incidenteve në fundin e ndeshjes me Laçin, ndërsa bie në sy edhe pezullimi për një vit i Paula Jakut, futbolliste e ekipit të femrave, “Juban Danja”, pas dhunës ndaj zyrtares së ndeshjes.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN