“Dita e Monumenteve”, sot në muze dhe parqe arkeologjike, hyrja falas

Që nga viti 1983, kur në konferencën e UNESCO-s u vendos 18 prilli si dita ndërkombëtare e monumenteve, promovimi i trashëgimisë kulturore në të gjithë botën, merr zë përmes një kalendari aktivitetesh që për publikun janë falas.

Edhe në Shqipëri, muzetë, parqet arkeologjike dhe shumë galeri, kanë hartuar evente të ndryshme për nxënësit e shkollave, për turistët vendas dhe të huaj, që duan të vizitojnë këto institucione.

Nga një prej parqeve më të rëndësishme arkeologjike në vendin tonë, nga Apollonia ministrja e kulturës, theksoi se sa e rëndësishme është të njohim vlerat monumentale, dhe t’i mbrojmë ato.

Ministrja Elva Margariti

“Ajo çfarë ndodhi në Paris duhet të na sensibilizojë për trashëgiminë kulturore që kemi, që ndoshta nuk e kemi promovuar aq shumë sa duhet”, tha ministrja Elva Margariti.

Ajo që ndodhi në Paris duhet të na bëjë edhe më të ndërgjegjshëm për trashëgiminë tonë kombëtare, për ta mbrojtur atë dhe nga ana tjetër për ta promovuar edhe më tepër. Është e rëndësishme që teknologjinë ta përdorim në këtë drejtim. Është një formulë, tek e cila ne besojmë fort, që është ajo e digjitalizimit për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Sot, mundësitë që na ofron teknologjia, të gjithë mund t’i përdorim në shërbim të promovimit të kulturës. Ministrja Margariti, e shoqëruar nga drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, vizitoi disa prej monumenteve kryesore të Parkut, si dhe Muzeun Arkeologjik dhe ekspozitën fotografike me imazhe nga Muzeu Kombëtar Etnografik Berat, që sot ashtu sikurse edhe institucione të tjera të artit do t’i hapin dyert për publikun, pa asnjë kosto.

Shkarkoni aplikacionin e A2