Garë solidariteti për Notre Dame, mblidhen mbi 700 milionë euro

Kompani dhe biznesmenë të njohur vijojnë garën e solidaritetit për rindërtimin e katedrales Notre Dame në Paris.

Shuma e dhuruar deri më tani ka shkuar mbi 700 milionë euro. Shqipëria dhe Kosova janë bërë pjesë e dhënies së kontributit financiar për rindërtimin e katedrales 850-vjeçare.

Tirana dhuroi 100 mijë euro, ndërsa Prishtina nuk e ka bërë të ditur shumën e dhuruar. Dy shtetet iu përgjigjën thirrjes së presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk për t’i ardhur në ndihmë Francës, në këtë moment të vështirë.

Një ditë më parë, presidenti Emmanuel Macron u shpreh se rindërtimi i katedrales do të përfundojë brenda 5 viteve.

Ai kërkoi që populli francez të bëhet bashkë për të rindërtuar simbolin e tyre kombëtar, që pësoi dëmtime të mëdha për shkak të zjarrit.

“Ne jemi popull ndërtuesish. Kemi shumë për të bërë, kështu që po, do ta rindërtojmë katedralen e Notre Damit. Do ta bëjmë atë dhe më të bukur dhe unë dëshiroj që kjo të bëhet brenda 5 viteve. Ne do ta rindërtojmë atë dhe do të mobilizohemi”, u shpreh Macron.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN