Gudar Beqiraj: Calja nuk po merr shpërblimin që i takon

Presidenti i nderit i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Akademik Gudar Beqiraj, thotë se pavarësisht ligjit shumë të mirë për shpërblimet e sportistëve me arritje, ata që kanë marrë rezultate nuk po paguhen.

“Nuk vlerësohen në bazë të vendimit të këshillit të ministrave që është azhornuar disa herë. Sot kemi një vendim të qeverisë të marrë në 4 nëntor 2018 që flet për vlerësimin që i bën Qeveria sportistëve që arrijnë nivele të larta ndërkombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë sportistët”, tha Beqiraj në “I Ftuari” me Endri Xhafon.

Por pavarësisht se ka marrë medalje të artë në Europian në stilin e shkëputjes, Calja nuk ka marrë ende shpërblimin që i takon, bazuar edhe në vendimet e Qeverisë shqiptare.

“Nuk bëhet fjalë për pretendime, por duhet të zbatohet vendimi i Qeverisë. Nuk ka asnjë shkresë që të thotë se duhet të paguhen vetëm për dygarëshin. Kjo është një shkelje që i bëhet vendimit të këshillit të ministrave dhe ata që e kanë bërë këtë shkelje duhet ta paguajnë, sepse kanë dalë kundër vendimit të këshillit të ministrave. Në rregulloren e Federatës Botërore është sanksionuar shpërblimi për të tre stilet, ndërsa në Olimpiadë është vetëm për dygarëshin”.

“Kam marrë vetëm 1/3-ën e pagesës, Federata ka dërguar letrat për medalje ari në stil shtytje, stil shkëputje dhe dygarësh”, shton vetë Calja. “Ata e konsiderojnë vetëm dygarëshin, por unë këtë çështje do ta ndjek deri në fund, qoftë edhe në gjykatë. Edhe këtë pagesë që kam marrë e kam marrë me këste. Unë medaljet nuk i kam marrë me këste, i kam marrë brenda një dite dhe ia kam sjellë Shqipërisë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN