Interpelanca për “Rinasin”, Lleshaj: Siguria kombëtare nuk cenohet nga 5 grabitës

Seanca e kësaj të enjteje në Kuvend ka nisur me interpelancën e kërkuar nga deputetët e rinj të opozitës për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

I pari që e mori fjalën ishte deputeti Ralf Gjoni, i cili iu drejtua ministrit duke thënë se pati një dështim total të policisë në reagimin ndaj situatës së krijuar në aeroport.

“Është vënë në rrezik rendi publik dhe jeta e pasagjerëve në aeroport. Ata grabitës mund të kishin qenë terrorist. Shteti dhe autoritetet e tij ligjzbatuese ndaj ekzistojnë. Nuk mund ta trajtoni këtë ngjarje duke pasuar përgjegjësinë te një koncesionar privat”, tha ndër të tjera Ralf Gjoni.

Mes shumë pyetjeve të ngritura për ministrin, Gjonaj e mbylli me pyetjen: A jeni i gatshëm të jepni dorëheqjen nëse ngjarja nuk zbardhet plotësisht dhe autorët nuk arrestohen?

Pas Ralf Gjonit, fjalën e mori ministri Lleshaj. Ministri u shpreh se ngjarja nuk është apokaliptike

“Ngjarja e Rinasit është shumë e rëndë, pasi është episod i përsëritur. Kjo ngjarja ka marrë të gjithë vëmendjen e dukur të institucioneve të sigurisë, pavarësisht angazhimeve të tjera që ka pasur policia.

Diskutimi që ka shpërthyer si përherë ka tentuar që të spostohet në një plan politik. Ka pasur një gadishmëri të madhe për të ndërtuar skenarë hipotetikë.

Duhet të kemi parasysh se nuk është një ngjarje apokaliptike dhe siguria kombëtare e Shqipërisë nuk mund të cenohet nga një grup prej 5 grabitësish.

Kjo ngjarje është një seri dështimesh të disa hallkave”, tha Lleshaj.

Më tej, Lleshaj u shpreh se ngjarja është nën hetim dhe deri tani janë siguruar provat që janë shpresë të madhe për ta zbardhur atë.

“Policia ka reaguar shumë shpejt, por duke e marrë njoftimin nga rrugë të tretë dhe jo nga ata që e kishin për detyrë për ta bërë një gjë të tillë dhe më tej janë angazhuar të gjitha strukturat. Por ka qenë një krim i organizuar mirë dhe pati një përpjekje për të devijuar vëmendjen me një makinë të djegur. Ngjarja është nën hetim dhe deri tani janë siguruar provat që japin shpresë të madhe për të zbardhur ngjarjen. Besohet fortë se kjo është episodi e një serie ngjarjesh me të njëjtët autorë”, tha Lleshaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN